Picture
Për më shumë se 10 vende më lartë renditet Kosova kësaj radhe në raportin e Bankës Botërore (BB), për të bërit biznes. Burime të Kosovapress'it brenda Bankës Botërore bëjnë të ditur se, me gjithë përparimin në vitin e kaluar në këtë fushë, këtë vit renditja e Kosovës mund të arrijë në 15 vende më lartë.

Përparimi i Kosovës, në këtë indikator ka lënë prapa vendet e rajonit dhe disa vende të BE-së. Kosova, tani, është më mirë se Serbia, Shqipëria, Bosna dhe Hercegovina, por, gjithashtu, këtë vit e ka tejkaluar dhe Kroacinë, si vend i BE-së.

Burime të Kosovapress, bëjnë të ditur se suksesi më i madh i Kosovës, për këtë vit lidhet me reformat në fillimin dhe regjistrimin e biznesit (MTI) si dhe regjistrimin e pronës. Duke i parë të gjeturat e raportit, Kosova, këtë vit, për herë të parë në historinë e saj, hyn në top 10 vendet më reformatore në botë. Sukses ky që konsiderohet shumë i madh për një vend, që synon investime dhe ngritje ekonomike. Kosovapress ka kontaktuar ish-Ministren e Tregtisë dhe Indiustrisë, Mimoza Kusari- Llila, meqenëse raporti tregon se reformat më të shumta janë bërë pikërisht në fushën me të cilën Kusari-Lila ka menaxhuar si ministre.

“Nuk e di saktë në cilën pozitë jemi. Por, e di se një numër i konsiderueshëm i reformave tona janë marrë parasysh dhe do të kemi prapë ngritje”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se ndjehet mirë që gjatë udhëheqjes së saj në këtë digaster, në dy vitet e fundit, ka arritur ta përmirësoj ambientin e biznesit, e me këtë edhe imazhin e Kosovës.

“Nëse është kështu siç thoni ju, ky sukses tregon se ndryshimi është i mundur, kur njerëzit e duhur me programin e duhur janë në pozitat e duhura”, ka thënë Kusari-Lila.

Ndryshe, vlerësimi i këtij raporti bazohet në 11 indikatorë: fillimi i biznesit, marrja e lejes për ndërtim, sigurimi i energjisë elektrike, regjistrimi i pronës, marrja e kredisë, mbrojtja e investitorëve, pagesa e taksave, zbatimi i kontratave, zgjedhja e pamundësisë së borxhit, tregtia përmes kufjeve dhe punësimi i punëtorëve./Kosovapress/





Leave a Reply.

    Reklama/Advertising

    Archives

    November 2013

    Categories

    All